Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, thotë se arrestimi i ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, ka për qëllim fyerjen dhe ushqimin e urrejtjes ndaj UÇK-së, derisa ka akuzuar pushtetin (duke iu referuar si “Xhelalët”), se mund të bashkëpunojnë me Serbinë dhe Rusinë në këtë aspekt, njofton Insajderi.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Kastrati thotë se Fazliu nuk ka hedhur gaz lotsjellës në institucionet e Kosovës dhe nuk i ka rrokullisur makinat e Policisë së Kosovës. Këto, sipas Kastrati i ka bërë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti.
“Kujtoni kur Kurti e quante policin tonë ‘majmun’. Arrestimi i ushtarëve të dalluar si Faik Fazliu ishte dhe është qëllimi i Serbisë dhe i Rusisë. Këtij qëllimi dhe këtyre skemave po ju shërben regjimi i Kurtit përmes Xhelalit”, është shprehur Kastrati.
“Punësimet e familjarëve, aferat korruptive në Prizren, skandalet në politikat e jashtme etj, etj po e karakterizojnë qeverinë e re. Kjo e konfirmon faktin që këta nuk e kanë pas objektiv luftimin e korrupsionit por thjeshtë rrënimin sistematik të imazhit të UÇK-së pikërisht për faktin se themeluesit e saj janë kundërshtarët e tyre politik”, thotë me tej ai.
“Në këtë projekt Xhelalët bashkëpunëtorë mund ta kenë Serbinë dhe Rusinë por jo popullin shqiptar. Xhelali që fizikisht qëronte hesapet nëpër lokalet e Prishtinës tani po na tregon se kjo është drejtësia. Mënyra e arrestimit të Faik Fazliut më së paku reflekton drejtësi. Ky rast përbën rrezik serioz për kohezionin tonë shoqëror e përplasjet dhe kaosin politik në Kosovë e dëshiron vetëm Rusia e Serbia. Për ta garantuar atë kaos politik dhe urrejtjen ndaj UÇK-së ata skanë nevojë ti dërgojnë tanket e batalionet e tyre sepse atë mision e kryen me sukses regjimi i Kurtit përmes Xhelalëve në pushtet”. /Insajderi.com