Kastrati kërkon organizimin e referendumit konsultativ për reformën në arsim

Kastrati kërkon organizimin e referendumit konsultativ për reformën në arsim

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se të premten e ka nisur drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim.

Kastrati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë.

Postimi i plotë i Kastratit:

“Të premten i kam nisur KQZ-së kërkesën për organizim të referendumit konsultativ për reformë në arsim.

Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim.

Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme.

Sakrificat që koha i kërkon prej nesh janë të natyrave të ndryshme. Dikur sakrifica për të ardhmen ishtë përpjekje për liri, sot ajo është përkushtim që liria të mos jetë thjesht e kundërta e pushtimit, por ndërtimi i jetës e hapja e perspektivës.

Kjo reformë është perspektiva për të cilën do të punojmë. Kjo reformë, për mua është më shumë sesa qeverisje, është kauzë për të cilën kemi punuar me seriozitet. Andaj, së bashku mund të vendosim për të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi”, ka shkruar Kastrati.