Kastrati: Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës

Kastrati: Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar sërish lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), për rikthimin në shkolla të 441 nxënësve të fshatrave të Kamenicës, njofton Insajderi.

Kastrati me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës në organizimin e arsimit dhe nuk mund të veprojë kundërligjshëm.

Ai thotë se reformën në arsim që e kishte nisur kohë më parë, ishte pranuar nga të gjithë ministrat e arsimit, përveç ministres aktuale, Arbërie Nagavci.

I pari i Kamenicës ka dhënë një sërë arsyetimesh që ministria nuk duhet ta anuloj vendimin për reformën në arsim.

Madje, ai thekson se gjithçka që është duke bërë MAShTI është manipulim me masën dhe mësimdhënësit, e që punëdhënës i të cilëve thotë se është komuna.

Për këtë, Kastrati ka nënvizuar edhe pikën 1.20 të kontratës ndërmjet komunës dhe nëpunësit ku thuhet që nëpunësi obligohet “të mos kërkojë apo pranojë udhëzime lidhur me kryerjen e detyrave të punës nga asnjë organ tjetër përveç drejtorit të shkollës dhe DKA-së ose personave të caktuar nga ta”. Me këtë rast ai i’u është drejtuar mësimdhënësve duke u thënë që të mos e tradhtojnë besimin e tyre në raport me riorganizimin dhe se të mendojnë më mirë në raport me ligjet të cilat e përcaktojnë angazhimin e tyre profesional.

Ai shton se “as Ministri i Arsimit, as Kryeministri e as Presidenti nuk mund të ju mbrojnë nga shkelja e kontratës të cilën ju vet e keni nënshkruar”. /Insajderi.com