
Figura e Kardinalit me famë botërore, Theodore McCarrick, i cili po akuzohet se për dekada ngacmoi seksualisht fëmijë, po vazhdon të mbahet në ambientet e Katedrales “Nënë Tereza”. Madje, duket se aty do të mbetet edhe për goxha kohë. Se çka do të bëhet tutje me këtë portret, nuk e kanë idenë as udhëheqësit e Kishës në Prishtinë. Ata thonë se janë duke e pritur një urdhër nga Vatikani për ta larguar prej aty.
Kanë kaluar më shumë se 1 muaj që prej kur Kardinali me famë botërore Theodore McCarrick dha dorëheqje nga Kolegji i Kardinalëve, pasi u akuzua për abuzim seksual me fëmijë.
Por, edhe pas këtyre akuzave, figura e 88 vjeçarit po vazhdon të mbahet me krenari në ambientet e Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë
McCarrick, në kohën kur ishte arqipeshkv i Uashingtonit kishte vënë gurë themelin e Katedrales në Prishtinë.
Në nderim të tij, saktësisht në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Shenjtores Nëna Terezë, ditën kur u bë shugurimi i Katedrales që mban emrin e saj, u zbulua edhe mozaiku, me portretin e ish-kryepeshkopit që krahas ka figura të kishës katolike por edhe politikës që sipas kishës, ndihmuan në ngritjen e katedrales.
Kjo figurë duket se do të mbetet aty edhe për shumë kohë. Udhëheqësit e kishës po e presin urdhrin nga Vatikani për të marrë ndonjë veprim për këtë çështje.
Se figura e Kardinalit McCarrick nuk është larguar ende nga mozaiku në Katedrale këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Ipeshkvia e Kosovës.
Në Ipeshkvi i kanë thënë Gazetës Express se figura e Kardinalit Theodore po vazhdon të qëndrojë në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, por për detaje të tjera kanë sugjeruar që të kontaktojmë me zëdhënësin e Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqin.
Por Koliqi nuk iu është përgjigjur thirrjeve, dhe më pas e ka shkyçur telefonin.
Ndërkohë më herët, Don Lush Gjergji kishte thënë se nuk kanë marrë ende asnjë urdhër zyrtar nga Vatikani për këtë çështje, duke i cilësuar lajmet që janë shpërndarë nëpër të gjitha mediat botërore thjesht gazetareske.
“S’jam kompetent unë, nuk na përket neve deri sa të bëhet një hap zyrtar, është gazetareske, nëse ne, kisha me strukturat e veta që i ka na thotë një gjë të tillë. Çka vendos kisha kurgjo tjetër. Kjo nuk është kompetencë e jona, është kompetencë e Selisë së Shenjtë, deri sa Selia e Shenjtë nuk reagon me një akt zyrtar ne e marrim si lajm gazetaresk.”, kishte deklaruar ai.
Madje, nga kisha në Kosovë thonë që shkarkimi i McCarrick ka ndodhur tash e disa vite për arsye se ai e ka arritur moshën e jo pse është përfshirë në ndonjë skandal.
“Është një çështje aq delikate për këtë arsye nuk dua të them asgjë. Ai ka qenë në pension, është shkarku për arsye të moshës, i ka më tepër se 10 vjet që nuk është arqipeshkv në Uashington”, shtoi Don Lush Gjergji.
Rrjedhimisht, portreti do të vazhdojë të qëndrojë edhe me tutje në Katedralen e Prishtinës, derisa dikush nga Vatikani t’i udhëzoj zyrtarisht që ajo të hiqet.
Tashmë, Papa ka dhënë urdhër që ish-kardinali të izolohet për t’u lutur deri sa kisha të vendos për sanksionet. Njoftimin për dorëheqjen e tij e dha Vatikani përmes një deklarate.
Ajo u pranua nga Papa Francesku, një muaj pasi zyrtarë të Kishës Amerikane morën vendim se akuzat e ngritura ishin të besueshme.
Ky nuk është rasti i parë i raportuar për McCarrick. Dyshime të njëjta kishte pasur edhe më parë. 88 vjeçari, akuzohet se ka abuzuar me një të mitur rreth 50 vite më parë.
Përveç kësaj ka dyshime edhe për abuzime me një të mitur tjetër, dhe tre të rritur, pjesëtarë të kishës. Rasti ka shokuar opinionin, ngaqë ai ishte njeri shumë i respektuar dhe ambasador për një kohë të gjatë i Kishës Katolike në Uashington, një njeri tepër i besuar në vite nga Papët dhe presidentët amerikanë./ Gazeta Express.