
Kryetari i Listës Serbe dhe deri më sot kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq ka thënë se janë katër arsye pse kryetarët e katër komunave të veriut kanë dhënë dorëheqje sot.
Në protestën e organizuar sot në Mitrovicën e Veriut, Rakiq, i cili e mori i pari fjalën, u shpreh se “taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, dhuna e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës, shkelja e marrëveshje ndërkombëtare dhe shkelja e të drejtave të serbëve” janë arsyet për dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave të veriut.
“Për të mos lexuar katër kryetarët, të cilët kanë marrë vendimin e njëjtë nga arsyet e njëjta.
1. Për shkak të futjes së taksave johumane, jo civilizuese dhe kundër ligjore prej 100 për qind me të cilat bllokohet sjellja normale e mallrave nga Serbia qendrore në Kosovë, me çka na është cenuar e drejta për jetë, shërim, informim publik, mbijetesë dhe qëndrimi në vatrat tona, e të cilat shkaktojnë katastrofë humanitare me përmasa të mëdha.
2. Për shkak të dhunës së vazhdueshme institucionale të institucioneve të Kosovës, rrahje të përfaqësuesve politik të popullit serb, arrestim të pabazë të qytetarëve dhe tentim të vrasjes së zëvendës kryetarit të Listës Serbe Milan Radojiçiqit, nga ana e policisë së Kosovës na është cenuar e drejta për jetë, paqe, siguri dhe mendim dhe veprim politik.
3. Për shkak të shkeljes së të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB 1244, marrëveshjes së Brukselit marrëveshjes CEFTA etj, me të cilat garantohen të drejtat e serbëve, dhe mospërmbushje e obligimeve të institucioneve kosovare të marra nga marrëveshjet e përmendura me qëllim negligjencës së pjesëmarrjes së përfaqësuesve politik serb nëpër institucionet kosovare.
4. Për shkak të shkeljes së akteve të saja juridike të Prishtinës me të cilët janë të garantuara të drejtat e serbëve në këto hapësira”, ka deklaruar sot Rakiq.
Rakiq ka deklaruar se dorëheqja e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit nuk duhet të interpretohet si mungesë gatishmërie e tyre për të luftuar për interesat e popullit serb.
“Posaçërisht theksojmë se kjo dorëheqje në asnjë mënyrë nuk paraqet, e as lejoj që të interpretohet si mungesë e gatishmërisë as timin e as të kryetarëve tjerë të luftojmë për të drejtat e popullit serb, por prej gjithë asaj të theksuar, edhe nga eksperienca pesëvjeçare të cilën e kemi pasur këtu, është obligimi ynë që në këto rrethana të mbesim në krahë të popullit tonë dhe të luftojmë në mënyrë demokratike, të civilizuar për jetë dhe mbijetesë të popullit serb në këto hapësira”, u shpreh Rakiq.
Rakiq po ashtu është shprehur se përveç vendosjes së taksës prej 100 për qind, serbët e veriut kundërshtojnë aksionet e njësitit special të Policisë së Kosovës, ROSU, në veri të Kosovës.
“Përveç vendosjes së taksave, arsyeja tjetër e tubimit të sotëm është hyrja brutale e forcave ROSU në veri, edhe pse me Rezolutën 1244 është thënë qartë se forcat e vetme të armatosura në Kosovës të jenë ato të KFOR-it, mirëpo Prishtina nuk e respekton as këtë vendim”, ka thënë Rakiq.
“Prishtina i ka dërguar njësitet speciale të armatosura deri në dhëmbë t’i arrestojnë bashkëqytetarët tanë dhe kanë tentuar, përsëris kanë tentuar jo ta arrestojnë por ta vrasin bashkëqytetarin tonë, vëllanë tonë, nënkryetarin e Listës Serbe Milan Radoiçiqin. Vëlla, jemi me ty”, u shpreh sot Rakiq.
Ai u bëri thirrje pqytetarëve serb të veriut që të mblidhen sërish të nesërmen në vendin e njëjtë.
“Pra vazhdojmë edhe më tutje, ju bëjë thirrje që nesër të vini në vendin e njëjtë, ndërsa ne do të mbesim këtu, para zyrave të EULEX-it dhe të vazhdojmë që në mënyrë paqësore, demokratike të luftojmë për jetën tonë. Vëllezër dhe motra, nga këtu nuk ka mbrapa. Rroftë Serbia”, ka thënë Rakiq.
Goran Rakiq shërben si kryetar i Listës Serbe që prej korrikut të vitit 2017, derisa dy herë ka fituar mandatet për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut me sistemin zgjedhor të KQZ-së. /Insajderi.com