Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i kryesuar nga Valon Prestreshi, që një javë është në thumb të kritikave të punëtorëve dhe menaxhmentit të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”. Akuzohet se ka marrë vendime që favorizojnë kompanitë private në dëm të ndërmarrjes publike. Prestreshi ende nuk ka dhënë versionin e tij. Por, cilat janë katër kompanitë private të cilat nuk përmenden me emër nga drejtuesit e ndërmarrjes “Posta e Kosovës”.
Afër 1000 punëtorë të Postës së Kosovës, kanë protestuar të hënën para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar shkarkimin e kryetarit të Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Pestreshi dhe shfuqizimin e vendimeve që janë marrë në lidhje me objektet ku janë dhënë për shfrytëzim Postës së Kosovës.
Insajderi, ka provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Pestreshi, por Pestreshi, nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike të Insajderit.
Posta e Kosovës ditë më parë ka deponuar padi në Gjykatë kundër këtij veprimi dhe deri në vendimin e Gjykatës, posta do të vazhdojë të punën në objektet e komunave.
Autoritetit Kosovar i Konkurrencës me një VENDIM-Moneta-vs-Ministria-e-puneve-te-brendshme-Final-SCAN (1), ka konstatuar katër marrëveshje të institucioneve kosovare me Postën e Kosovës për lokalet janë të kundërligjshme, në raport me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Saktësisht bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Prishtinës, ato të Gjilanit dhe Mitrovicës.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte dhënë një afat prej 60 ditësh që të respektohet vendimi i tyre por një gjë e tillë nuk është respektuar nga të gjithë këto institucione.
Një nga to është Komuna e Prishtinës.
“Ne kuptimin procedural të Ligjit të Procedurës Administrative, Nr. 02/L-28, vendimi i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk përmban një nga elementet kryesore ne pjesën përmbyllëse këshillën juridike dhe si forme nuk përmbush kushtet formalo-juridike andaj mungojnë informatat për palët se ankesa e këtij vendimi a e pezullon ekzekutimin e vendimit apo jo, si dhe bazën ligjore për një gjë të tille”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Lidhur me të njëjtën çështje Insajderi ka kontaktuar Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Gjilanit dhe e Mitrovicës por që nuk kanë dhënë përgjigje për këtë rast.
Kompanitë private “Moneta”, “Propaid”, “Vllesa” dhe ajo “Capital” kishin bërë kërkesë për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, kërkesa këto që janë aprovuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka konstatuar se “përmes këtyre marrëveshjeve të cilat bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke favorizuar Postën e Kosovës, ka rezultuar me ndryshimin e strukturës së gjendjes së tregut përkatës në ofrimin e shërbimeve të pagesave”.
Por për Postën e Kosovës, një vendim i tillë është vet i paligjshëm.
“Sa i përket vendimit te KAKK, ai është një vendim i paligjshëm, i padrejte. Këtë mund ta konstatoj secili jurist. Atij vendimi i mungojnë elemente esenciale për te përmbushur kriteret juridike-formale te një vendimi. Nuk ka madje as këshillë juridike. KAKK ka treguar se është shume jokompetent për t’u marre me detyrat qe i ka”, thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës në përgjigjet dhënë Insajderit.
Gjatë ditës së djeshme kryetari i sindikatës së Postës së Kosovës, Etrit Hoti, ka thënë se Posta Kosovës nuk do t’i lirojë asnjëherë këto objekte me një vendim të tillë siç e ka quajtur ai skandaloz.