Katër mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer arrijnë sot në Kosovë

Katër mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer arrijnë sot në Kosovë

Katër mijë e 680 doza të vaksinës nga kompania amerikane Pfizer pritet të arrijnë sot, e martë, në Kosovë.

Lajmin e kanë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Insajderi-n.

“Ministria e Shëndetësisë pret që gjatë ditës së sotme të arrijnë katër mijë 680 doza të Pfizer në Kosovë. Këto janë pjesë e asistencës prej 95 mijë dozave që BE-ja i ka ndarë për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Tutje, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se vaksinimi do të vazhdojë së pari me personelin shëndetësor që për arsye të ndryshme nuk ka mundur të vaksinohet në fazën e parë.

“Kur të arrijnë dozat e tjera që pritet të vijnë në ditët në vijim, vazhdohet me vaksinimin e kategorisë me sëmundje kronike më të theksuara tek personat e moshuar dhe me radhe sipas kategorive siç i parasheh Plani i vaksinimit kundër COVID-19”.​

Disa ditë më parë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në Twitter konfirmoi se 95 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19 do të vijnë në Kosovë nga maj deri në gusht./Insajderi.com