Katër shtëpi kaplohen nga zjarri në Graçanicë

Katër shtëpi kaplohen nga zjarri në Graçanicë

Një shpërthim zjarri ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në Graçanicë, i cili është shpërndarë në katër objekte, pranë monumentit të Millosh Obiliqit.

Zjarri është përhapur rreth ores 07:30 të mëngjesit të sotëm, derisa bëhet e ditur se asnjë person nuk është lënduar.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se nga informatat e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie, e më pas është shpërndarë në katër objekte.

“Rreth orës 07:30 është raportuar për një zjarr në Graçanicë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe ekipet e zjarrfikësve.  Nga informatat e para në vendin e ngjarjes janë ngritur dyshimet se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie për tu shpërndarë më pas në katër objekte”, ka thënë Borovci.

Siç njofton më tej ai, aktualisht përqendrimi është në lokalizimin e zjarrit në mënyrë që të shmangen pasojat e përhapjes së tij më tej dhe evakuimin e banorëve përreth.

“Ndërkohë që janë ftuar edhe ekipe të tjera mbështetëse për fikjen e zjarrit, hetuesit e policisë për hetimin e rasteve të tilla të përkrahur edhe nga njësi të tjera për të menaxhuar me situatën, janë në vend ngjarjes të përqendruar. Nuk raportohet për persona të lënduar, përveç dëmeve materiale”, tha tutje Borovci. /Insajderi.com