Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht është president i vendit, katër vjet pas premtimit, e pranon se nuk ka arritur ta realizojë atë.
Në vitin 2014, kur Republika e Kosovës po festonte 6-vjetorin e pavarësisë, ishte vetë Thaçi që kishte premtuar se vitin tjetër FSK-ja do të shndërrohej në ushtri me emrin zyrtar të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Madje, po atë vit gjatë fjalimit, kishte thënë se kjo do të jetë parada e fundit e FSK-së nën këtë emër.
“Kjo është parada e fundit ku ne e shohim parakalimin e FSK-së me këtë emër”, kishte thënë asokohe kryeministri Hashim Thaçi, tash president i vendit.
Por, edhe pas katër vjetëve të premtimit të tij, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. FSK-ja edhe sivjet parakaloi nën këtë emër.
“Herën e fundit kur FSK-ja kishte parakaluar ishte viti 2014 në 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa në anën tjetër FSK i kishte kryer të gjitha procedurat për transformim në ushtri”, ka thënë presidenti Thaçi.
Megjithatë, në fjalimin e sotëm të presidentit, ai e pranoi se nuk arritën ta përmbushin premtimin e tyre, duke ia hedhë fajin tërë spektrit politik.
“Fatkeqësisht, ne si politikë e Kosovës nuk ishim në gjendje t’i përcillnim hapat e zhvillimit të FSK-së”, ka thënë tutje ai.
Ai ka thënë se si president është i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjnë me ushtri.
Vlen të përmendet se presidenti Thaçi kishte hedhë akuza në drejtim të opozitës së atëhershme, me theks të veçantë në LDK-në, duke thënë se ishte bllokuese e transformimit të FSK-së në ushtritë Kosovës në kohën kur edhe Lista Serbe ishte e gatshme ta pranonte një gjë të tillë.
Këto akuza i kishte mohuar LDK-ja, duke thënë se ishte vetë Thaçi i cili donte të bënte kompromise të mëdha në këtë drejtim.
Vitin e kaluar presidenti Thaçi ndërmori një iniciativë përmes të cilës donte ta shndërronte FKS-në në ushtri përmes ligjit, duke anashkaluar ndryshimet kushtetuese.
Kjo hasi në rezistencë të madhe ndërkombëtare, duke kërkuar që kjo mënyrë e transformimit të ushtrisë të mos ndodh, shkruan Insajderi.
Pas një presioni të madh, presidenti Thaçi ishte tërhequr, duke thënë se u duhet koordinim me aleatët ndërkombëtarë, të cilët deshi t’i anashkalonte me iniciativën e tij.
Madje, edhe një pjesë e partive politike opozitare nuk e përkrahën një iniciativë të tillë, duke e vlerësuar si shumë të rrezikshme./Insajderi.com