Sipas një sondazhi të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, 77.6 për qind të qytetarëve janë kundër shkëmbimit të territorit si pjesë e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, ndërkaq 11.3 për qind do pranonin të ketë shkëmbim territoresh.
Instituti Demokratik i Kosovës ka realizuar një sondazh të opinionit publik lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me ç’rast 1066 persona të të gjitha komuniteteve janë intervistuar në periudhën 5-13 shtator.
Jeta Krasniqi nga KDI tregoi se në përgjithësi shumica e qytetarëve të intervistuar janë të pakënaqur me ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.
“Nga rezultatet e para mund të shohim se qytetarët janë të pakënaqur me kahjen që presidenti Thaçi është duke i dhënë dialogut me Serbinë, 75 për qind janë të pakënaqur, ndërsa 20 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me këtë proces. Në përgjithësi, të gjitha komunitetet kanë të njëjtën qëndrim ku ata shprehen se janë të pakënaqur me kahjen e dialogut Kosovë-Serbi”.
Pyetja e dytë e KDI-së për qytetarët e intervistuar ishte nëse do ta pranonin shkëmbimin e territoreve mes dy palëve.
“Në bazë të qytetarëve shohim se 77.6 për qind të qytetarëve janë kundër shkëmbimit të territorit si pjesë e një marrëveshje mes dy vendeve, 11.3 për qind do pranonin të ketë shkëmbim territoresh, 11 për qind janë shprehur se nuk e dinë ose refuzojnë të përgjigjen”.
Sa i përket përgjigjeve të klasifikuara sipas komuniteteve, Krasniqi bëri të ditur se 55 për qind e të intervistuarve nga komuniteti serb nuk iu janë përgjigjur kësaj pyetjeje, raporton EO.
“Vlen të theksohet se diku 55 për qind nga komuniteti serb kanë preferuar të mos përgjigjen në këtë pyetje”.
Në pyetjen se cili do të ishte qëndrimi i tyre nëse mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiq do të arrihej një marrëveshje, 51.5 për qind e qytetarëve janë shprehur se do të protestonin kundër një marrëveshje Thaçi-Vuçiq që do të përfshinte shkëmbim të territoreve.
“8.9 janë shprehur se do të pajtoheshin me këtë marrëveshje, 16.7 janë shprehur se nuk e dinë çfarë veprimi do të merrnin nëse do të kishte një marrëveshje për shkëmbim territoresh. 51 për qind e komunitetit serb janë shprehur se nuk e dinë apo refuzojnë të përgjigjen për vendimin nëse në tavolinën e diskutimit do të arrihej një marrëveshje për shkëmbim territoresh”.
Pyetja e fundit e KDI-së ishte: Cilin version do ta preferonit më shumë, asociacionin e komunave serbe apo ndryshimin e kufijve.
“Shumica dërmuese, 82.9 për qind nuk do preferonin asnjë nga këto opsione. Vlen të theksohet se janë diku 10.5 për qind e qytetarëve që më shumë do preferonin ndryshimin e kufijve sesa asociacionin e komunave serbe. 66.6 për qind e mbështetin këtë opsion”.