Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se aksioni policor, që u zhvillua të mërkurën në disa lokacione të ndryshme të vendit, është dëshmi se sa thellë është i zhytur vendi në korrupsion, njofton Insajderi.
Sipas tyre, ky aksion po ashtu dëshmon se grupet kriminale në Kosovë janë të organizuara dhe “fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hierarkinë e institucioneve shtetërore”.
“Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson faktin se pas një periudhe relativisht të gjatë kur dukej se Prokuroria e Shtetit po kalonte nëpër një fazë të gjatë letargjie, sot ndërmori një aksion duke bastisur shumë lokacione anekënd Kosovës. Sipas deklarimeve zyrtare, gjetjet e para nga këto bastisje janë para të gatshme në vlerë prej mbi 400 mijë euro, të gjetura në shtëpitë e personave të përfshirë në rast”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, nga KDI-ja shtojnë se arrestimi i 10 zyrtarëve shtetërorë për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore.
“KDI kërkon nga Prokuroria e Shtetit që në afat sa më të shkurtër të veproj në drejtim të mbledhjes së të gjitha provave dhe që sa më shpejtë të vendos para drejtësisë personat e përfshirë. KDI gjithashtu inkurajon qytetarët të cilët kanë qenë viktima të këtyre abuzimeve nga zyrtarë që kanë punuar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, t’i raportojnë abuzimet apo dëmet e shkaktuara në Prokurori të Shtetit apo Polici”, thuhet tutje në reagim./Insajderi.com