KE i bën thirrje liderëve të Kosovës për konsensus në dialogun me Serbinë

KE i bën thirrje liderëve të Kosovës për konsensus në dialogun me Serbinë

Komisioni Evropian ka bërë thirrje ndaj Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjen ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës, njofton Insajderi.

KE inkurajoi qeverinë që të angazhohet me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë nga opozita, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi politik për vendimet që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku tutje njoftohet se është zhvilluar takimi i katërt i Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, që u zhvillua virtualisht më 15 tetor.

Takimi u bashkëkryesua nga Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Artan Çollaku, drejtor i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, nga Qeveria e Kosovës.

“Komiteti për Stabilizim-Asociim diskutoi zhvillimet kyçe politike të kohëve të fundit dhe mori në konsideratë gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA). Takimi vlerësoi dhe aprovoi rezultatet e shtatë takimeve nën-komiteteve dhe të një takimi të Grupit të Posaçëm, të cilat ishin mbajtur gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, u vlerësua përparimi në fushat përkatëse të Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së në fusha të tilla si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi. Takimi diskutoi prioritetet e reformave në fusha që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike. Komisioni Evropian mirëpriti që Qeveria e Kosovës, e zgjedhur në qershor 2020, ka konfirmuar angazhimin strategjik të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe ka lejuar rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë. Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të shfrytëzojë rastin e rimëkëmbjes ekonomike për të përshpejtuar reformat ekonomike, në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës. Në këtë drejtim, Komisioni mirëpriti lansimin e një faze të dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ARE), dhe u shpreh se është në pritje të Planit të Veprimit përkatës të qeverisë. Komisioni e inkurajoi qeverinë që të angazhohet me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë nga opozita, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi politik për vendimet që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë”, thuhet në këtë komunikatë. /Insajderi.com