KE i ndan 70 milionë euro Ballkanit Perëndimor për blerje të vaksinave anti-COVID

KE i ndan 70 milionë euro Ballkanit Perëndimor për blerje të vaksinave anti-COVID

Komisioni Evropian ka ndarë 70 milionë euro për Ballkanin Perëndimor si ndihmë për blerjen e vaksinave anti-COVID, njofton Insajderi.

Për miratimin e paketës prej 70 milionë eurove për qasje të shpejtë në vaksinën ndaj COVID-19, ka bërë të ditur komisionari për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, I cili tha se Ballkani Perëndimor është partner i privilegjuar i BE-së dhe do të vijohet në këtë frymë edhe me vaksinat.

Ai thotë se po ndërmerren hapa që sa më shpejt në vendet e Ballkanit Perëndimor të nisë vaksinimi për stafet kritike dhe grupet më të rrezikuara ndaj COVID-19.

“Gjatë gjithë pandemisë BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të prekshme në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, tha Varhelyi.

Në njoftimin për media thuhet po ashtu se vaksinimi në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas skemës COVAX, do të nisë më vonë sesa në shtetet e BE-së.

Megjithatë, thuhet se qasja në një sasi dozash nga marrëveshjet e BE-së për blerje të vaksinave do t’i mundësojnë rajonit të nisë vaksinimin paralelisht me shtetet anëtare të BE-së. /Insajderi.com