Komisioni Evropian i quan “spekulime qesharake” akuzat se një nga zyrtarët e tij qëndron pas dokumentit jo-formal të ashtuquajtur “Non-paper”, i pretenduar se ka origjinë franko-gjermane.
Pas akuzave nga Serbia, se pas ‘Non-paper’-it për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi qëndron zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq, KE në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, hedhë poshtë këtë deklaratë.
“Komisioni hedh poshtë këtë spekulim qesharak se një nga zyrtarët e tij qëndron pas kësaj letre të pretenduar. Komisioni nuk ka asnjë koment për pretendimin mbi një “Non-paper” që nuk e ka prodhuar e as nuk e ka marrë”, ka thënë në një përgjigje me shkrim zëdhënësja e zyrës për diplomaci të BE-së, Ana Pisonero.
Duke mos dashur të komentojnë mbi këtë çështje, BE kujton dhe përsëritë “mbështjetjen e vazhdueshme dhe të qartë të Bllokut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Regjisori serb, Dragoslav Bokan, në një intervistë për ‘Tv Pink’, tha se beson që Kocijançiq “mund të kishte shkruar vetë ‘Non-paper’-in që parashikon pikat mbi të cilat Kosova dhe Serbia mund ta nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare”.
“Karakteri i Maja Kocijançiq është shumë interesant, nuk ka asnjë informacion për të, nuk ka biografi të saj askund, ju e dini që ajo ka bashkëpunuar me Mogherinin, me Varhelyin, por nuk keni asnjë informacion për datën e saj të lindjes, cilën shkollë e ka mbaruar… Kështu që ju keni disa forma të reja të politikës, në të cilat mbështetet ky ‘Non-paper”, tha Bokan në këtë intervistë, raporton Novosti, transmeton Insajderi.
Ditë më parë u pretendua se holandezja Angelina Eichhorst, ka shkruar të ashtuquajturin “Non-paper” për zgjidhjen e problemeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kështu raportoi e përditshmja serbe “Kurir”, e cila thoshte se këtë ia kishin konfirmuar disa burime në qarqet diplomatike.
Mirëpo, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi po atë ditë se nuk mund ta konfirmojë që autorja e dokumentit të fundit është drejtoresha ekzekutive e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) për Evropën dhe Azinë, Angelina Eichhorst, sepse tha se është i bindur se ajo nuk e ka shkruar atë.
Rreth tetë ditë më parë, në mediat kosovare është publikuar një dokument për të cilin thotë se është një “Non-paper”, siç ishte ai slloven, por që në këtë dokument jo zyrtar thuhet se Kosova e Serbia do t’ia njohin integritetin territorial njëra – tjetrës dhe gjithashtu sovranitetin si shtete të pavarura.
Derisa, dokumenti joformal i publikuar nëpër mediat e Ballkanit, që pretendohej se ka dalë nga qeveria sllovene, paraqet një ndryshim të Ballkanit Perëndimor, ku vizatimi i këtyre kufijve pasqyron një bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë. Pastaj të bëhet bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Të zgjidhet çështja kombëtare e Kroacisë përmes dy opsioneve dhe të krijohet një shtet funksional boshnjak. /Insajderi.com