Këshilli Evropian pritet të mblidhet sot në Bruksel për të vendosur datën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, transmeton Insajderi.
Meqë drita jeshile për integrimin evropian të këtyre vendeve jepet për të dyja si paketë, Shqipëria po pengohet si pasojë e këmbënguljes së Bullgarisë në veton ndaj Maqedonisë Veriore.
Javë më parë, Holanda e cila ishte një ndër shtetet me qëndrim skeptik, tha se Shqipëria duhet të nisë bisedimet për anëtarësim.
Pas këtij qëndrimit pozitiv të Holandës dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria apo Italia ka shpresa që Shqipërisë do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Europian që do të pasojë Konferencën Ndërqeveritare, raporton TCh.
Muajin e kaluar, më 5 maj, Këshilli i Bashkimit Europian i ka dërguar një letër pune delegacioneve të vendeve të BE, përpara mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të BE, ku iu kërkua që Tiranës dhe Shkupit t’u jepet drita jeshile. /Insajderi.com