Tetorin e kaluar, udhëheqësit e vendeve anëtare nuk arritën një kon" />

KE synon hapjen e bisedimeve me Tiranën e Shkupin në mars

Komisioni evropian synon që hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të arrihet në muajin mars. Në Tiranë, ku gjendet për një vizitë zyrtare, komisionari për Zgjerimin Oliver Varhelyi tha gjatë një konference shtypi me kryeministrin Edi Rama, se “raporti i mëparshëm i Komisionit për Shqipërinë mbetet ende i vlefshëm, pra një vend i gatshëm për të hapur bisedimet dhe ne po punojmë që kjo të bëhet realitet para takimit të nivelit të Lartë të Zagrebit”, i cili parashikohet të mbahet në muajin maj.

KE synon hapjen e bisedimeve me Tiranën e Shkupin në mars

Tetorin e kaluar, udhëheqësit e vendeve anëtare nuk arritën një konsensus për një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, falë këmbënguljes së Francës, për nevojën e rishikimit më parë të të gjithë procesit të bisedimeve dhe të vetë zgjerimit. “Me metodologjinë do të krijojmë një qasje të re, bazuar në katër parime. Së pari procesi të jetë më i besueshëm, më politik, më i parashikueshëm e për mua është përparësi ta bëjmë dhe më dinamik. Po përpilojmë një propozim që do marrë parasysh këto gjëra”, shpjegoi zoti Varhelyi, duke saktësuar se “po flas me shtetet anëtare që t’i bind se me këtë metodologji të re do të mund të biem dakord për hapjen e bisedimeve”.

Për kryeministrin Rama “ajo që përbën një arsye për t’u ndjerë të inkurajuar është qasja e komisionarit lidhur me nevojën, por dhe kushteve, për të adoptuar e pranuar të gjithë së bashku një metodologji më të përshtatshme, si rezultat i së cilës, mund të mendohet e arsyeshme dhe përfshirja e Francës në vazhdimin e procesit”.

Zoti Rama dhe komisionari evropian vizituan më pas disa zona në qytetin e Durrëst të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Komisioni evropian, ka dhanë një ndihmë të parë prej 15 milionë eurosh, ndërsa me 17 Shkurt do të organizojë dhe një konferencë të madhe donatorësh. “Ne do të qëndrojmë në krah të Shqipërisë e do vazhdojmë të ndihmojmë. Presim që nga konferenca e donatorëve të ketë rezultate shumë të mira. Do flasim me Shtetet anëtare e organizmat financiar ndërkombëtarë, që të japin kontributin e tyre”, tha zoti Varhelyi, ndërsa njoftoi se “në lidhje me punën e bërë deri më tani, nga fondet e para aderimit, unë kam mundësinë që nga autoriteti buxhetor të japim 28 milion euro për të ashtuquajturin “shpërblim për performancë”. Miratimi i takon Parlamentit evropian, i cili “ka një proces të caktuar, një procedurë që duhet ta ndjekë, por propozimin tashmë e kemi çuar në PE dhe besoj gjithçka do vazhdojë shumë shpejt”, u shpreh komisionari Varhelyi./voa.