KEK: Deklaratat e Molliqajt janë të pavërteta dhe shpifje

KEK: Deklaratat e Molliqajt janë të pavërteta dhe shpifje

Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se deklaratat e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, për prishje të qëllimshme të disa njësive nga KEK dhe KEDS – janë të pavërteta dhe shpifje.

Përmes një postimi në Facebook, KEK deklaroi se kishte njoftuar me kohë se dy njësitë A3 dhe A5 që ishin në operim në atë, kishin rënë nga sistemi si pasojë e problemeve të shkaktuara në rrjet nga faktorë jashtë KEK-ut.

“Lidhur me këtë, KEK kishte pranuar shkresën zyrtare nga Operatori i Sistemit, Transmisionit  dhe Tregut KOSTT, me datë 06.12.2021 ku jemi njoftuar edhe zyrtarisht se ishte identifikur një problem teknik në pjesën e tyre ku pas nje shperthimi të izolimit të një izolatori e cila ka rezultuar me lidhje të shkurter në sistem të zbarrave ka ardhe deri te rënia e dy njesive prodhuese dhe se ekipet e tyre kishin riparuar prishjen dhe sistemi ishte ne gjendje gadishmerie për punë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Por, KEK deklaron se falë angazhimit të ekpertëve dhe punonjësve të tyre, dy njësitë prodhuese ishin kthyer në operim në kohë optimale.

Tutje, Korporata thotë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore te organet e drejtësisë ndaj Molliqajt “me qëllim të ruajtes së imazhit dhe dinjitetit të punëtorëve të saj”.

“Për këtë arsye KEK do ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore tek organet e drejtësisë ndaj Z. Molliqaj, me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive si dhe ruajtjen e imazhit të korporatës dhe dinjitetit të punëtorëve të saj të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm po kryejnë detyrat e tyre në këto rrethana mjaft sfiduese”, përfundon njoftimin KEDS.

Rënia e blloqeve A3 dhe A5, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për shitblerjen e thëngjillit dhe pretendimet se KEDS-i po shet energji elektrike jashtë Kosovës – janë tri çështjet të cilat i ka diskutuar të shtunën kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Në një konferencë për media, Molliqaj ka thënë se rënia e dy blloqeve të lartëpërmendura ka qenë e qëllimshme dhe është shkaktuar nga vetë KEDS-i.

Qëllim i këtij veprimi, sipas tij, ka qenë që t’i prishet reputacioni KEK-ut.

Madje, ka hedhur dyshime që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

“Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të blloqeve A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e blloqeve A3 dhe A5  brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj./Insajderi.com