Kelmendi krahason të zhdukurit e luftës me gjashtë “gylenistët”

Kelmendi krahason të zhdukurit e luftës me gjashtë “gylenistët”

Kryetari i partisë “FJALA”, Gëzim Kelmendi i ka ndërlidhur arrestimet e gjashtë gylenistëve të dyshuar në Kosovë, me mbi 1 mijë e 200 shqiptarët e pagjetur nga Lufta e Kosovës në vitet 1998-99.

Në emisionin Debat me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, Kelmendi krahasoi zhdukjen e shqiptarëve gjatë luftës me gjashtë shtetasit turq që u arrestuan të enjtën në Kosovë.

“Është derdhur, po e them në thonjëza, lot krokodili për këta gjashtë njerëz por mos të harrojmë se ne i kemi mbi 1 mijë e 200 shqiptarë të zhdukur të cilët Serbia nuk po na kthen”, ka thënë Kelmendi, duke përmendur rastin e të pagjeturve në tentim për të arsyetuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.

Kelmendi ka deklaruar se “ne nuk po i mbrojmë shqiptarët që i kemi të zhdukur nuk po kërkojmë t’i kthejmë ndërkaq po na dhemb zemra për gjashtë persona të cilët kanë akuzë për terrorizëm”.

Po ashtu, ai ka krahasuar një aksion të DEA-s amerikane për zhdukjen e një rrjeti të trafikimit me narkotikë në Kosovë, me arrestimin e “gylenistëve”. Kelmendi ka thënë se nuk është e vetmja Turqia, ajo e cila ka arrestuar njerëz në Kosovë.

“Kemi patur raste kur DEA amerikane në Klinë, në marketin Nora, ka arrestuar njerëz për substanca narkotike. Kemi pasur raste në Kosovë edhe më heret, kur autoritetet amerikane kanë arrestuar njerëz në Kosovë”, tha Kelmendi.