Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për siç ka thënë ai, “mohimin e padrejtë që të kemi komisioner për ruajtjen e votës”.
Lideri i Fjalës, që mori vetëm 1 për qind të totalit apo 6 mijë vota dhe që nuk arrin të futet në Kuvend, ka thënë se në numërim ka pasur mashtrime dhe se votat për partinë e tij janë shpallur si vota të pavlefshme.
“Na mohuat padrejtësisht të kemi komisioner për ruajtjen e votës tonë. 50 mijë fletëvotime të pavlefshme. Kjo tregon qartë qëllimin e juaj. Ju e dëmtuat Partinë FJALA që garoj me njerëz me vlera dhe vullnet të pastër”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Kelmendi është shprehur i habitur me rezultatin e zgjedhjeve, teksa i ka krahasuar këto rezultate me ato të zgjedhjeve të vitit 2014.
“Në vitin 2010 kur askush nuk më njihte, fitova i vetëm mbi 4 mijë vota. Në vitin 2014 fitova i vetëm mbi 10 mijë vota”, ka thënë Kelmendi, i cili ka shprehur dyshime rreth procesit të votimit dhe të numërimit të votave për zgjedhjet e 11 qershorit.
“Tash së bashku me 109 kandidat të tjerë na ‘dolën’ rreth 6 mijë vota. A mendoni se ju besojmë, a mendoni se pajtohemi?”, deklaroi Kelmendi.
Sipas Kelmendit, mbi 50 mijë vota që janë shpallur si të pavlefshme nga KQZ, të gjitha i takonin Partisë Fjala.
“Ju me strategjinë e juaj profesionale zhvleftësuat mbi 50 mijë votat tona duke i bërë të pavlefshme. Kjo dëshmon edhe njëherë se sa është i zhytur vendi ynë në krim të organizuar dhe korrupsion.Por një gjë dijeni, se nuk mund ta ndalni kurrë vullnetin e këtyre djemve dhe vajzave që të punojnë për popull dhe shtet”, ka thënë ai.