Këmbësori që u godit nga vetura kërkon mbi 8000 euro kompensim nga “Eurosing”, kompania i ofron vetëm 700 euro

Këmbësori që u godit nga vetura kërkon mbi 8000 euro kompensim nga “Eurosing”, kompania i ofron vetëm 700 euro

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Florenton Sadikaj, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Eurosing”, kompensimin e dëmit në vlerë prej 8,530.70 euro.

Këtë shumë, ai po e kërkon me pretendimin se derisa kishte qenë duke lëvizur në rrugë, në cilësi të këmbësorit, ishte goditur nga një veturë, ku kishte pësuar lëndime trupore.

Fillimisht, në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësit, avokati Blerim Sylaj, e ka precizuar lartësinë e kërkesëpadisë dhe atë nga shuma prej 4,900.00 euro, sa ka kërkuar në padi, tani po kërkon shumën prej 8,530.70 euro, në emër të kompensimit të dëmit.

Syla, tha se këtë precizim e ka mbështetur në ekspertizën e komunikacionit, në të cilën sipas tij, përgjegjësia primare në shkaktimin aksidentit ka ardhur me fajin e të siguruarit te e paditura., ndërsa përgjegjësia sekondare nga paditësi.

Po ashtu, ai tha se e këtë precizim e ka mbështetur edhe në ekspertizën mjekësore, në të cilën sipas tij, është konstatuar se paditësi ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Pas kësaj, përfaqësuesi i të paditurës, Fatlum Shala, në mënyrë që të arrihet pajtim gjyqësor, për kompensimin e të gjithave formave të dëmit, paditësit i ka ofruar shumën prej 700 euro, e cila shumë është kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditësit, si tejet e ulët

Gjithashtu, në seancën e shqyrtimit kryesor, është dhënë fjala përfundimtare nga përfaqësuesi i paditësit, i cili ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar.

Syla, ka thënë se nga provat administruara është vërtetuara baza dhe lartësia e kërkesëpadisë.

Ai i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës dhe atë në lartësi prej 818 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, Shala, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që padia të refuzohet pjesërisht.

Ai ka kërkuar nga gjykata, që lartësia e kërkesëpadisë mbi shumën e ofruar të refuzohet si e pabazuar, me arsyetimin se shuma e kërkuar është tejet e lartë dhe nuk përkon me lëndimet që ka pësuar paditësi.

Lidhur me shpenzimet e procedurës, Shala ka kërkuar nga gjykata që të vendos sipas suksesit në procedurë.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, gjykatësi i rastit Hysni Bardheci, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 prill 2016, paditësi Sadikaj po kërkon nga kompania e sigurimeve “Eurosig”, kompensimin e dëmit në vlerë prej 8,530.70 euro.

Sipas padisë, më 11 shkurt 2016, në fshatin Panorc, Komuna e Malishevës, ishte shkaktuar fatkeqësi komunikacioni dhe atë paditësi deri sa kishte qenë duke lëvizur në rrugën ishte goditur nga një veturë.

Siç thuhet në padi, deri te aksidenti kishte ardhur me fajin e ngasësit të veturës, i cili duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju kushtuar kujdes pjesëmarrësve në komunikacion, e në këtë rast këmbësorëve, kishte goditur tani paditësin.

Bazuar në padi, si pasoj e kësaj fatkeqësie, paditësi kishte pësuar lëndime të rënda trupore, dhembje dhe frikë.

Në padi thuhet se shkaktari i aksidentit në komentin e shkaktimit të aksidentit kishte qenë i siguruar te e paditura.

Prandaj, mbi këto rrethana, paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që në emër të lëndimeve të pësuara si pasojë e aksidentit, ta kompensojë shumën prej 8,530.70 euro.