Koalicioni LDK-AKR ka vendosur që Tahiri të lë pas vetës akademikë e profesorë si Sabri Hamiti dhe Muhamet Mustafa. Tahiri ka lënë mbrapa tij në listën e kandidatëve për deputetë edhe doktorin Imet Rrahmani e fytyra të njohura të politikës kosovare si Vjosa Osmani, Arben Gashi e Armend Zemaj.

Kur Labinot Tahiri vendosi t’i futej politikës në muajin maj të vitit të kaluar, askush nuk e kishte menduar se vetëm një vit më vonë emri i tij do të qëndronte mbi akademikë, ish-ministra e fytyra të njohura politike në një listë të kandidatëve për deputetë.
Pas një suksesi që shënoi në aspektin personal para dy javësh kur u emërua nënkryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR), këngëtari i muzikës folk ka shënuar një tjetër sukses.
Labinot Tahiri është renditur i dhjeti në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa.
Koalicioni LDK-AKR ka vendosur që këngëtari nga Ferizaj të lë pas vetës akademikë e profesorë universitar si Sabri Hamiti dhe Muhamet Mustafa. Tahiri ka lënë mbrapa tij në listën e kandidatëve për deputetë edhe doktorin Imet Rrahmani e fytyra të njohura të politikës kosovare si Vjosa Osmani, Arben Gashi e Armend Zemaj.
Nga të gjitha listat e kandidatëve për deputetë të publikuara nga subjektet politike, ajo e koalicionit LDK-AKR-Alternativa u përfol më së shumti. Arsye për këto polemika që zgjoi kjo listë, janë pikërisht vendosja e kandidatëve të caktuar në renditjen e listës.
Por, fakti që gruaja më e votuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Vjosa Osmani, është lënë e 81-ta në listë, nuk përbën rëndësi të madhe për anëtaren e LDK-së.
“Është krejtësisht e parëndësishme. E rëndësishme është ku do ta rëndit populli Vjosa Osmanin”, ka thënë sot Osmani.
Ajo ka treguar se fakti se do të jetë në listë i është kumtuar qysh në fillim nga Avdullah Hoti, porse nuk ka mundur që të sigurojë njerëzit se një gjë e tillë do të ndodhë me të vërtetë.
“Nuk është që kam dyshuar në këtë vendim përfundimtar. Por, pa u zyrtarizuar listat nuk kam mundur të flasë me siguri të plotë sepse politika kosovare nganjëherë është e paparashikueshme”, ka shtuar ajo në një intervistë për televizionin Rrokum.
Reagime pati edhe nga emra që kanë mbetur jashtë listës së koalicionit LDK-AKR-Alternativa. Ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi deklaroi sot se është lënë jashtë listës nga Kryesia e LDK-së.
Bulliqi ka akuzuar udhëheqësin e LDK-së për mbetjen jashtë listës së kandidatëve për deputetë, derisa ka thënë se “këta njerëz patën frikë nga rritja e përkrahësve të mi”. /Insajderi.com