Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.E., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.
Sipas aktakuzës, në muajin Janar të vitit 2018, në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, i pandehuri A.E., si person zyrtar në pozitën e Këshilltarit të Kryetarit të Komunës së Kllokotit, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit material dhe shkaktimit të dëmit të operatorit ekonomik ‘’NTP Blina’’, ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që arrin marrëveshje verbale me përfaqësuesin e operatorit të lartcekur që të vendosë inventarë në objektin e ri të komunës, duke i premtuar se më vonë do të zbatohen procedurat ligjore dhe do të bëhet pagesa nga komuna e Kllokotit.
Përfaqësuesi i operatorit ekonomik ka vendosur gjithë inventarin e porositur në objektin e ri të komunës së Kllokotit dhe deri më tani nuk është realizuar asnjë pagesë nga komuna, me ç’rast të njëjtit i është dëm material në vlerë prej 4.460 euro.
Me këto veprime, i pandehuri A.E., ka kryer veprën e sipërshënuar penale. /Insajderi.com