Me një deklaratë të fortë dhe jashtë kornizave diplomatike, Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos ka akuzuar Shqipërinë se mbështet çështjen çame, për të cilën, sipas tij, duhet të pranojë disa të vërteta historike që ata ishin bashkëpunëtorë të nazizmit.
Pavllopullos kërcënoi se nëse Shqipëria dëshiron mbështetjen e Greqisë në rrugën e saj evropiane, atëherë duhet të pranojë të vërtetën historike lidhur me çështjen çame, dhe e vërteta është se Shqipëria mbështet bashkëpunëtorët e nazisteve.
Deklarata e presidentit grek u bë gjatë ceremonive përkujtimore në Paramthia, ku sipas grekëve, ata u bashkuan me nazistët dhe ekzekutuan 49 banorë të zonës, në operacionet e spastrimit të kryera prej ushtrisë gjermane në 29 shtator 1943.
Deklaratat e Pavlopulosit, pikërisht në momentin e finalizimit të dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për një sërë çështjesh mes dy vendeve, duket se do të hapin një kapitull të ri që mund të reflektojnë edhe ne shtyrjen e nënshkrimit të një marrëveshje midis dy vendeve.
Ndonëse palët kanë dakortësuar qëndrimet për pothuaj gjithë çështjet që shqetësojnë në marrëdhëniet dypalëshe, siç është ajo e detit, abrogimi i ligjit të luftës, çështjet e njohjes se patentave, tekstet shkollore, çështjet e monitorimit të krizave, bashkëpunimit për vijën kufitare, çështjet e minoriteteve, pak muaj më parë Top Channel ka zbuluar se pala greke nuk pranon në asnjë mënyrë të diskutoje çështjen çame, duke e venë atë si kusht për vazhdimin e negociatave mes dy vendeve.