Kërcënohen punonjësit që janë të gatshëm për punë në Aeroportin “Adem Jashari”

Kërcënohen punonjësit që janë të gatshëm për punë në Aeroportin “Adem Jashari”

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot prej orës 08:00 kanë filluar grevën dy orëshe. Mirëpo duket se nuk po shkon gjithçka siç duhet, pasi që, sipas një video të dërguar nga lexuesit e Gazetës Insajderi, punëtorët kanë probleme mes vete.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara, e cila ka thënë që fluturimet e parapara të orës 08:00-10:00, mund të kenë vonesa.

“Kjo rrjedh si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme nga punonjësit që janë pjesë e grevës ndaj punonjësve që janë të gatshëm të punojnë. Ne kemi marrë të gjitha masat paraprake për GREVË mirëpo duke u bazuar në takimin e djeshëm me Udhëheqësin e Sindikatës së ANP-së, ne nuk kemi marrë në konsideratë se do të ketë veprime jashtë të gjitha kornizave ligjore të grevave për të penguar procesin e punës. Menaxhmenti i ANP-se do të shqyrtojë të gjitha rastet veç e veç dhe do të marrim masa ligjore ndaj personave përgjegjës”, ka thënë ajo.

Punëtorët kanë mbajtur grevë edhe gjatë ditës së djeshme e që krijoi tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.

Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benifite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e djeshme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport./ Insajderi.com