
Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrije Ismaili është kërcënuar nga axha i një foshnje e cila ishte duke u trajtuar.
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e vona derisa Ismaili po e mbante kujdestarinë e rregullt në klinikë.
“Derisa po mbante kujdestarinë e rregullt dhe po ofronte kujdes për foshnjat e porsalindura, në kuadër të Klinikës së Neonatoligjisë, në orët e vona është kërcënuar dhe fyer drejtoresha, Hajrije Ismaili. Kërcënimi ka ndodhur nga axha i një foshnjeje, i cili është duke u trajtuar në klinikë”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
Krahas kësaj, potencohet se të drejtë për informata kanë të drejtë vetëm nënat dhe baballarët, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 13:00.
ShSKUK dënon kërcënimin ndaj drejtoreshës Ismaili, duke kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa ndaj kërcënuesit.