Kërkesa dhe dorëzimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit për paratë e zyrtarëve publikë

Kërkesa dhe dorëzimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit për paratë e zyrtarëve publikë

Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, vetëm para tri ditëve kishte paralajmëruar disa ndryshime në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, për zyrtarët e lartë të shtetit që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë.

Ai kishte propozuar që pasuria e zyrtarëve të shtetit të jetë e fshehur, përkatësisht paratë e gatshme dhe ato të deponuara të mos bëhen publike për qytetarët, por vetëm për agjencinë.

Për propozimin e tij, Havolli kishte pasur një arsyetim. Kishte thënë se zyrtarëve publikë po u shkaktohen telashe, kërcënime dhe probleme familjare.

“Me ligjin e ri jemi duke e bërë draftin që paratë e gatshme ose të deponuara mos të jenë të qasshme për publikun por për agjencinë. Ka probleme, selame e ngapak edhe kërcënime”, kishte deklaruar Havolli, para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Tri ditë pasi kishte shpalosur idenë e tij, Havolli është dorëzuar. Ai ka thënë sot se pavarësisht ndryshimeve të pakos në ligjet Kundër Korrupsionit, do të vazhdojnë të jenë të hapura për publikun.

Madje sipas tij ky ka qenë një keqkuptim, pasi kërkesa ishte bërë nga anëtarët e këtij Komisioni.

“Vetë Komisioni e ka ngritur si shqetësim dhe unë ua kam konfirmuar, se për çdo ditë vinë në AKK, zyrtarë të lartë që kanë ankesa dhe këtu ka qenë keqkuptimi, sepse çdo gjë që deklarojnë zyrtarët e lartë do të jetë publike”, ka thënë Havolli në një intervistë dhënë sot për KTV-në.

Me këto ndryshime ekziston mundësia që AKK-së t’i mundësohet kontrollimi i xhirollogarive bankare të zyrtarëve publik.

“Kemi propozuar të kemi qasje në xhirollogaritë e tyre, këtu është esenca që Agjencia të ketë fuqi që zyrtarët para Agjencisë ta deklarojnë pasurinë”, ka thënë ai./Insajderi.com