Haradinaj – Ramës: Na ndihmoni ta forcojmë pavarësinë e Kosovës

“Kosova ende ka vështirësi në anëtarësimin e mekanizmat ndërkombëtarë, në marrjen e njohjeve. Andaj dua të apeloj që edhe Shqipëria ta ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtar", ka thënë Haradinaj.

Haradinaj – Ramës: Na ndihmoni ta forcojmë pavarësinë e Kosovës

Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, tashmë kanë filluar takimin e tyre të përbashkët, përgjatë festës së 28 Nëntorit. Takimi ka filluar sot në Korçë, e më pas, nesër do të vazhdojë në Vlorë. Haradinaj në fjalën e tij ka kërkuar nga udhëheqësit e Shqipërisë që ta ndihmojnë Kosovën për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar.

Haradinaj është shprehur se Forcimi i pozitës së Kosovës në Ballkan, mund të përshpejtohet vetëm përmes bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kryeministri kosovar ka deklaruar se me 12 marrëveshjet që sot pritet të nënshkruhen në mes të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës do të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi në mes të dy vendeve.

“Kosova ende ka vështirësi në anëtarësimin e mekanizmat ndërkombëtarë, në marrjen e njohjeve. Andaj dua të apeloj që edhe Shqipëria ta ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtar. Forcimi i Kosovës dhe i yni në Ballkan, përshpejtohet më mirë përmes bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haradinaj, shkruan Express.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës ka thënë se dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, së bashku plotësojnë ëndrrën euroatlantike të dy shteteve.

Haradinaj ka thënë se Qeveria që ai e udhëheq është duke punuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe shndërrimin e FSK-së në forca të armatosura të Kosovës.

“Agjenda evropiane e Kosovës është integruar dhe tani është program qeverisës i Kosovës. Anëtarësimi në NATO, aftësimi i forcës sonë, jemi serioz dhe për këtë punë po punojmë me partnerët tanë. Me kohë do ta kemi shndërrimin e forcës sonë në forca të armatosura”, ka thënë Haradinaj.

Tutje ai është shprehur se luftimi i korrupsionit ende mbetet sfidë për lidershipin kosovar. Ai ka deklaruar se në dialogun me Serbinë në Bruksel, pjesëmarrëse duhet të jenë edhe SHBA-të.

“Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë, kjo e keqe e re e cila e rrezikon Kosovën në shumë drejtime. Na mbetet që të bëjmë më shumë punë rreth logjistikës, infrastrukturës së të bërit biznes. Jemi të vendosur në dialogun me Serbinë. Mendojmë që epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Në dialog duhet të jetë prezente edhe SHBA-ja”.

Ndër të tjera, në fjalën e tij, kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, këtë vit e ka quajtur si vit të Skënderbeut.