Kërkesat e ministrit të Drejtësisë për kryetaren e Gjykatës Speciale

Kërkesat e ministrit të Drejtësisë për kryetaren e Gjykatës Speciale

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka pritur sot në takim kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, si dhe Administratoren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, me të cilat ka biseduar për mandatin e këtyre Dhomave dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse të Kosovës.

Gjatë takimit, ministri Tahiri vuri theksin në sigurimin e një procesi të drejtë, transparent dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.

Ministri Tahiri njoftoi palët për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për të siguruar mbrojtje juridike dhe asistencë teknike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që mund të paraqiten para tyre.

Po ashtu, ministri Tahiri potencoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie./Insajderi.com