Konsorciumit turko-amerikan “Bechtel & Enka” po i afrohen ditët e afatit të përcaktuar kohor për ta përfunduar ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Tani që ka mbetur vetëm edhe një javë deri në përfundimin e kontratës Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria ta penalizojë “Bechtel & Enka”-n me një detyrim financiar prej 40 mijë eurove në ditë
Neglizhenca e gjitha qeverisjeve që nga viti 2014 deri më tani aktualisht ka dërguar në humbjen e 53 milionë eurove nga buxheti shtetëror. Kompania “Bechtel & Enka” pas katër vjetësh e kërkoi ndëshkimin ndaj Qeverisë si formë penaltie për vonesa në kryerje të pagesave. Nga “faji” nuk shpëtuan as tre ministrat e Infrastrukturës që kanë udhëhequr e vazhdojnë të udhëheqin këtë dikaster, të cilëve edhe po u rëndohet barra më e madhe.
Duke iu referuar analizës së publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, më 1 korrik të vitit 2014 ministri në largim Fehmi Mujota nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” në vlerë prej rreth 600 milionë eurove. Por kësaj kontrate milionëshe i kanë munguar dy dokumente tejet të rëndësishme: Kërkesat e punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës), si dhe plani i pagesave sipas kontratës në fjalë, ku do të përfshiheshin matjet e pagesave bashkë me këstet. Kronologjia e veprimeve të tri qeverive të implikuara në lidhjen dhe zbatimin e kësaj kontrate nga viti 2014 deri në vitin 2018 thuhet se tregon për veprime joligjore dhe neglizhencë kronike të kushteve.
Menaxherja e projekteve në KDI Diana Metushi-Krasniqi, njëkohësisht përpiluese e kësaj analize, përmendi edhe gjetjet e evidentuara gjatë kohës së ministrit Mujota e Lutfi Zharkut. “Ministri Zharku nuk kishte ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e kufizimeve buxhetore dhe ndryshimet e nevojshme kontraktuale. Për më tutje, sipas kontratës në fjalë, borxhi i referuar nga ‘Bechtel & Enka’ është i bazuar në një parashikim jo të detyrueshëm të pagesave, të dorëzuar nga kontraktori”, ka sqaruar ajo, shkruan Zeri.
Duke përmbledhur ecurinë e nënshkrimit të kësaj kontrate, Metushi-Krasniqi tregoi se në shtator të vitit 2016 MI-ja kishte përgatitur një draft aneks-kontratë që nuk e kishte implementuar kurrë e në të cilën parashihej inkorporomi i dokumenteve të munguara, si dhe kostoja e shtyrjes së afatit për 347 ditë në vlerën prej 14.78 milionësh bashkë me TVSH-në, ndërsa rreth 1 milion në muaj pa TVSH.