Kërkohet krijimi i Komisionit hetimor për rastin “gylenistët”

Kërkohet krijimi i Komisionit hetimor për rastin “gylenistët”

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila pritet të mbahet ditën e martë, duhet të ketë rezultat krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e gjashtë shtetasve turq.

Postimi i deputetit Deda në Facebook:

Javë e ardhshme, sipas të gjitha gjasave, do të ketë seance të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me veprimet e errëta të shtetit tonë me gjashtë shtetasit turq.

Rezultat i kësaj seance duhet të jetë krijimi i Komisionit hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, shkelësit e të drejtave elementare të njeriut, dhe na kthjellë nga “mjegulla” e përgjegjësisë komanduese shtetërore në sektorin e sigurisë dhe deportimin e paligjshëm të shtetasve turq.

Themelet e çara të shtetit tonë do të sanohen sado pak vetëm me ndëshkim të të gjithë përgjegjësve. Turpi shtetëror, në anën tjetër, do të merr kohë të gjatë të kalojë.

Kujtojmë se dje Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur, kanë mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për rastin e arrestimit dhe të deportimit të gjashtë shtetasve turq të lidhur me Gylenin.

Komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës, të udhëhequr nga opozita ka kërkuar edhe Lulëzim Peci, drejtor i KIPRED-it.

“Nëse duhet, të kërkojmë edhe ndihmën e jashtme për t’i dhënë dritë të plotë këtij rasti. Me këtë fitohen kushtet që të sqarohen pozicionet e presidentit dhe të kryeministrit të vendit. Cilido prej tyre që e ka dhënë urdhrin duhet të shkarkohet”, ka thënë Peci, dje në “Express Intervistën” në KTV.

Peci e ka kritikuar opozitën, veçmas LDK-në, që ka kërkuar zgjedhje.

“Absurdi më i madh është që të kërkohen zgjedhje të reja në këtë moment. Zgjedhjet e reja do të shkarkonin këtë qeveri nga përgjegjësia për këtë rast. Unë shpresoj që opozita do ta kuptojë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por duhet ajo që duhet kërkuar është e vërteta e këtij rasti”, ka thënë Peci.