Kërkohet lirimi i Thaçit nga paraburgimi

Kërkohet lirimi i Thaçit nga paraburgimi

Mbrotja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, përmes një shkrese ka kërkuar lirimin e tij nga masa e paraburgimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, përcjell Shqip.com.

Në shkresën e publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, mbrojtja ka apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak, Nicolas Guilloi mbi vazhdimin e paraburgimit të Thaçit dhe ka renditur gabimet që pretendon se gjyqtari paraprak i ka bërë në vendimin e tij.

Sipas mbrojtjes, gjetjet mbi ndikimin dhe autoritetin e Thaçit janë aq të padrejta dhe të pa arsyeshme sa që përbëjnë një abuzim me diskrecionin si dhe gjyqtari ka gabuar në gjetjen se zbulimi i provave rrit rrezikun e arratisjes, pengimit të procedurave apo kryerjes së krimeve tjera.

Tutje, të gabuar mbrojtja e ka cilësuar edhe qasjen ndaj vlerësimit të garancive të shteteve të treta, si dhe dështimin për të kërkuar pikëpamjet e shteteve të treta të propozuara.

Ndërkaq, në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.

I pafajshëm është deklaruar edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor dhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas aktakuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë./Insajderi.com