Kërkohet nga Qeveria zbatimi i rezulutave të Kuvendit

Kërkohet nga Qeveria zbatimi i rezulutave të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vlerësojnë se Qeveria e ka për obligim zbatimin e rezolutave të miratuara, pasi sipas tyre ato shprehin vullnetin e qytetarëve. Por monitorues të punës së Kuvendit thonë se një nga arsyet e moszbatimit është se ka mbi vendosje të rezolutave, transmeton Insajderi.

I zgjedhuri i popullit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, thotë se Qeveria duhet të zbatojë rezolutat që miratohen nga deputetët, pasi sipas tij, ato shprehin edhe vullnetin e qytetarëve.

“Ato rezoluta të cilat kalojnë mendoj që Qeveria duhet t’i marr dhe t’i zbatojë menjëherë sepse ato e shprehin vullnetin e qytetarëve meqenëse deputetët realisht i përfaqësojnë këto interesa dhe meqenëse deputetët votojnë për ato rezoluta. Mendoj që Kuvendi duhet të jetë sa më aktiv qoftë në parashtrimin e rezolutave për Qeverinë, qoftë në diskutimet e kalimet për projektligjet” ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, ka thënë se rezolutat duhet të merren parasysh nga Qeveria sepse ato po mbesin pa u implementuar edhe pse po miratohen.

“Pavarësisht faktit që në aspektin juridik rezolutat më shumë shquhen si ligje të buta meqë nuk e kanë efektin e tyre detyrues dhe obligues për Qeverinë, konsideroj që Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej që t’i merr në konsideratë. Ato shprehin vullnetin politik të përfaqësuesve dhe natyrisht kanë interes që Qeveria t’i zbatojë në përpikëri”, është shprehur ajo.

“Nuk kemi arritur që të jenë të zbatueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës. Vetëm ato rezoluta të cilat kanë qenë të koordinuara me Qeverinë kanë pasur efektin e tyre zbatues mirëpo rezolutat të cilat kanë ardhur nga Kuvendi nuk kanë arritur që të marrin përkrahjen e deputetëve” është shprehur Deliu- Kodra.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ekzistojnë tri probleme se pse rezolutat nuk depërtojnë të zbatohen, kryesorja sipas saj, është se rezolutat që propozohen prej një pale nuk përkrahen nga palët e tjera në Kuvend.

“Kuvendi nuk e ka një mekanizëm të zbatueshmërisë të këtyre rezolutave, por institucionet të cilat nuk i implementojnë ato dhe rrjedhimisht shumica e rezolutave që miratohen prej Kuvendit mbesin të pazbatuara në praktikë. E dyta është që ka mbivendosje të një rezolute ndaj një tjetre që është miratuar më herët për shembull, për dialogun prej vitit 2011 kur ka filluar procesi i dialogut në Bruksel janë miratuar 15 rezoluta për procesin e dialogut dhe çështjet që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë, dhe ka raste kur dy rezoluta ose më shumë janë për të njëjtën çështje dhe ky problem mandej e zbehë efektin dhe rëndësinë e rezolutave“, thotë ajo.

“Dhe problemi i tretë që është më kryesori është që në shumicën rasteve rezolutat që propozohen prej një pale nuk përkrahen nga palët e tjera në Kuvend. Ta zëmë ato që propozohen prej shumicës parlamentare nuk përkrahen nga opozita ose anasjelltas. Ka raste kur një grup parlamentar e propozon dhe mandej nuk përkrahet nga asnjë grup parlamentar tjetër”.

“Kjo në fakt ka qenë shumë e shprehur gjatë kësaj legjislature pra gjatë këtij viti për këtë arsye i kemi edhe 10 propozim rezoluta që ende nuk janë miratuar, sepse në shumicën e rasteve nuk ka pasur as përpjekje prej propozuesve të rezolutave që t’i harmonizojnë ato me grupet e tjera, prandaj edhe nuk ka kuorum për vendimmarrje për këto rezoluta sepse në shumicën e rasteve janë shprehje e vullnetit politik të një grupi parlamentar, përmbajtja e të cilëve nuk është e pranueshme për grupet e tjera, dhe kjo e zbehë rolin e rezolutave që edhe ato që miratohen e janë në procedurë të votimit në seanca” ka përfunduar Haxhiu për EO. /Insajderi.com