Një muaj paraburgim është kërkuar të vendoset ndaj personit D.I., i cili dyshohet se e ka vrarë gjyshin e tij K.I., gjatë ditës së djeshme në fshatin Izvor të Novobërdës, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, të cilët me anë të një njoftimi për media, thonë se Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’.
“Sipas kërkesës, dyshohet se më 15 Janar 2021, rreth orës 20:40 minuta, në fshatin Izvor Komuna e Novobërdës, i pandehuri D.I., ka privuar nga jeta tani të ndjerin K.I., në atë mënyrë që e ka goditur 12 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.
“Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të sipërshënuar”, bëhet e ditur tutje. /Insajderi.com