Kërkohet njohja e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë

Kërkohet njohja e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës seksuale në konflikt, sot në Kosovë u mbajt një tryezë me temën “Drejtësi e vonuar – drejtësi e mohuar: Stërzgjatja e procesit për  njohjen dhe verifikimin e statusit për të mbijetuarit e luftës në Kosovë”.

Për të diskutuar për këtë temë ishte ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Në këtë takim u tha se të gjithë të mbijetuarit nga dhuna seksuale në luftën e fundit në Kosovë do të kenë të drejtat e tyre.

U kërkua që viktimave të dhunës seksuale t’i mundësohet një kompensim dhe të kenë një pension të veçante për ta.

Ish presidentja, Atifete Jahjaga ka thënë se kemi pasur vonesa të tmerrshme për pranimin e statusit të viktimave seksuale në bashkësinë ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur vonesa të tmerrshme për statusin e viktimave të dhunës seksuale, dhe këtë e kanë mundësuar refuzimet e Serbisë për krimet të cilat ata i kanë kryer në Kosovë gjatë luftës”, është shprehur Jahjaga.

Ajo ka thënë se “për herë të parë të mbijetuarit nga dhuna seksuale do të kenë të drejtë të kërkojnë të drejtat e tyre në mënyrë konfidenciale dhe kërkoj që nga pasardhësi i ministrit në largim Arban Abrashit, ta vazhdoj punën me përkushtim”, ka shtuar Jahjaga.

Ndër tjerash Jahjaga ka thënë se “viktimave do ti mundësohet një kompensim i drejt dhe një kompensim i denjë”, raporton Insajderi.

Ndërsa ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell ka thënë se ne duhet të punojmë akoma që t’i njihet statusi viktimave të dhunës seksuale.

“Është përgjegjësi e madhe për të diskutuar për njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale edhe pse kanë kaluar 18 vjet ne duhet të punojmë, viktimave duhet t’i njohët statusi”, është shprehur ambasadori O’Connell.

Gjithashtu ai tha se zhvillimi ekonomik është një çështjet që është shumë me rëndësi për viktimat e dhunës seksuale.

“Zhvillimi ekonomik është një nga çështjet tjera që i duhet kësaj çështje, duhet të caktohet shuma e pensioneve mos të jetë një shumë e vogël sepse për ta do të ishte diskriminuese”, ka thënë O’Connell.

Po ashtu O’Connell ka kërkuar që mos të ndjehen të turpëruar ata që kanë qenë viktima të dhunës seksuale. /Insajderi.com