Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në këtë komunë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., pasi dyshohen për falsifikim të parave.
“Sipas kërkesës, i pandehuri B.B., gjatë muajit Tetor deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P., 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) të gjitha në monedha metalike nga 2 € (dy euro), me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € (Nëntëqind euro) duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € (treqind euro) falso paguan 200.00 € (dyqind euro) origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € (Katërqind euro) falso paguan 300.00 € origjinale derisa në herën e tretë për 550.00 € (pesëqind e pesëdhjetë euro) falso paguan 400.00 € (katërqind euro) origjinal ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) falso”, thuhet në komunikatën për media.
Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, B.B., ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, thuhet se me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta.
Sipas njoftimit, ata “në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore i pandehuri T.P., ia dorëzon kolegëve të tij – këtu të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, ashtu që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VË Polo’’, e parkuar në bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë i njëjti së bashku me kolegët e tij – të pandehurit: V.Z., L.E., dhe A.P., në mënyra periodike marrin nga 100 € të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga 2 € dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin në fjalë, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta, me ç’rast Policia e Kosovës pas zbatimit të urdhër-kontrollit arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ‘’VË Polo’’, në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € (Treqind e nëntëdhjetë euro) falso”.
Në këtë mënyrë, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
Të pandehurit e lartcekur, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren thotë se do të vazhdojë me veprime të tjera hetimore./Insajderi.com