Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit nga Kamenica, që vrau gruan e tij

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit nga Kamenica, që vrau gruan e tij

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata kompentente në këtë komunë, t’i caktohet masa e paraburgimit, të dyshuarit me inicialet N.M., i cili dyshohet se dje ka privuar nga jeta gruan e tij, duke përdorur shufër metalike.

Siç thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie, i dyshuari për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me qëllim ka kryer këtë vepër të rëndë penale.

“Sipas kërkesës, ekzison dyshimi i bazuar se, më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i dyshuari me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godet me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse”, thuhet në njoftim.

I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa sot pritet që të mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit, para gjyqtarit të procedurës paraprake. /Insajderi.com/