Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për grabitjen e 65 mijë eurove në Gjilan

Kërkohet paraburgim për të dyshuarit për grabitjen e 65 mijë eurove në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, gjatë ditës së martë ka ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se kanë grabitur 65 mijë euro dhe një shumë të konsiderueshme ari

“Ekziston dyshimi i bazuar, se të dyshuarit L.H. dhe S.H., në Gjilan, më 3 korrik 2019, rreth orës 18:30 minuta, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, të armatosur dhe të maskuar, kanë depërtuar në shtëpinë e të dëmtuarit S.S., me ç’rast nën kanosje kanë grabitur të holla në shumë prej 65.000 (gjashtëdhjetepesë mijë) euro dhe një shumë të konsiderueshme ari”, bën të ditur Prokuroria.

“Gjithashtu, më 11 korrik 2019, në njërën nga filialet e postës së Kosovës, në Gjilan, të dyshuarit të armatosur dhe të maskuar, kanë depërtuar brenda objektit, ku fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike, tani të dëmtuarit F.V. dhe E.R., ndërsa më pas nga arka kanë arritur që të marrin 300 (treqind) euro. Të dyshuarit, këto veprime i kanë ndërmarrë në bashkëveprim me të dyshuarin tjetër F.S., i cili është arrestuar më 24 korrik 2019”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Prokurori i rastit, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të dyshuarve t’ia caktojë masën e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, me dyshimin se në bashkëveprim kanë kryer dy vepra penale të ‘’Grabitjes’’.