Rrjeti i Grave të Kosovës në takimin e mbajtur sot, e hënë, me presidenten Vjosa Osmani, kanë shtruar nevojën e përfaqësimit të grave edhe në procesin e dialogut me Serbinë, përcjell Insajderi.
Siç njofton Presidenca, përfaqësueset e këtij Rrjeti i kanë dhënë mbështetje punës së deritashme të presidentes, “duke e vlerësuar angazhimin e saj për fuqizimin e pozitës së grave dhe duke e konsideruar rolin e saj të domosdoshëm në përpjekjet për gjithpërfshirjen e grave në të gjitha proceset”.
“RrGK-ja ka kërkuar mbështetjen e Presidentes për ndryshimet në Ligjin zgjedhor. Ato kërkuan që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për të cilën gjë kanë marrë mbështetjen e Presidentes”, thuhet në kumtesë.
Ndërkaq, Osmani ka theksuar se përgjatë mandatit të saj, çështja e barazisë gjinore është një nga prioritetet e saj së bashku me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, sikurse edhe me agjendën e gjelbër./Insajderi.com