Kërkohet përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse

Kërkohet përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njëherësh kryeshef i UNMIK-ut për Kosovë, Zahir Tanin, tha se gratë duhet të përfshihen në të gjitha proceset vendimmarrëse lidhur me pandeminë, transmeton Insajderi.

Kështu tha ai në një mbledhje të mbajtur përmes platformës ‘Zoom’, ku u tha se pandemia COVID-19 ka dëmtuar më shumë gratë.

“Siç u tha nga Sekretari i Përgjithshëm kriza COVID-19 te femrat ka ndikuar shumë. Femrat në mbarë botën edhe në këtu në Kosovë qenë në ballë të reagimeve të para si punëtorë në linjën e parë shërbimeve shëndetësorë, gjithashtu janë përballë sfida. Përkundër të qenit në qendër të njësive për rimëkëmbe dhe reagim duke u marrë me pasojat e pandemisë gratë kanë qenë të përjashtuara nga proceset e vendimmarrjes. Ne, Kombet e Bashkuara kemi vendosur nevojat e grave në listën e prioriteteve në qendër të përpjekjeve tona për mbështetur reagimin dhe rimëkëmbjen nga COVID-19”, tha ai, raporton KP.

Edhe koordinatorja për zhvillim në zyrën e OKB-së në Kosovë, Urlica Richardson, e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme përfshirjen e grave në çdo proces vendimmarrës për pandeminë.

“Statistikat tregojnë qartë se ato janë drejtpërdrejt dhe jo proporcionalisht të ndikuara në krahasim me meshkujt. Pronaret e bizneseve kanë më pak vetëbesim për t’iu rikthyer bizneseve dhe për tu rikuperuar nga humbjet që i kanë përjetuar, kanë besim më të vogël se homologët e tyre. Gratë nuk e dinë ku mund të fitojnë mbështetjen sa i përket mbështetjes ekonomike pas Covidit por gjithashtu edhe si temat që janë zbuluar siç është dhuna gjinore. Akoma ekziston dyshimi te disa gra se ku mund të drejtohen për të fituar mbështetjen”, tha ajo.

Ndërsa, Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grupit të Grave bëri thirrje që gratë të përfshihen në proceset vendimmarrëse.

“Çka ne gjithmonë kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje që na kërkohet edhe prej ligjit për barazi gjinore, çdo proces vendimmarrës duhet të përfshijë gratë, prandaj do të duhej që kjo të jetë thirrje si në nivelin lokal edhe qendror, qoftë përmes organizatave të grave direkt të cilat i paraqesin nevojat dhe interesat e grave, qoftë përmes shfrytëzimit të organizatave të grave si urë lidhëse me gratë dhe institucionet, të shfrytëzohen të gjitha këto dhe kontributi ynë të vazhdojë të shkojë në rrugën e drejt”, tha ajo. /Insajderi.com