Kërkohet përfshirje më aktive e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Kërkohet përfshirje më aktive e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi

Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kanë pritje minimale për zhvillimet konkrete në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, transmeton Insajderi.

E gjitha çka pritet nga ky takim është që duhet të ketë një pajtim për temat dhe agjendën që duhet negociuar në muajt në vijim.

Njohësi i procesit të dialogut, Besnik Vasolli ka thënë se nuk pret shumë nga takimi i radhës Kurti-Vuçiq, pasi konsideron se do të jetë i ngjashëm me të kaluarin.

Ai ka thënë se në katër kërkesat e kryeministrit Kurti nuk ka pasur përgjigje konkrete dhe se shihet se palët janë pozicionuar në qëllimet e tyre.

Për të gjetur zgjidhje, Vasolli kërkon përfshirjen më aktive të ShBA-së që palët të fillojnë dialogun dhe të shkohet drejt një marrëveshjeje.

“Do të jetë një takim i ngjashëm me të kaluarën. Zotëri Kurti ka parashtruar disa kërkesa për të cilat nuk kemi parë përgjigje konkrete. Kështu që mendoj që të dy palët janë pozicionuar dhe nuk janë duke treguar gatishmëri për të lëvizë nga ato pozicione. Sa do të arrijë BE-ja që t’i bind të lëvizin nga pozicionet e tyre, unë e kam pikëpyetje. Ndoshta ShBA, që duket janë të involvuara kanë mundësi të bëjnë pak lobim dhe ndikim pozitiv te dy palët që të vazhdohet me dialog dhe të shkohet drejtë një marrëveshje”, ka thënë Vasolli për KP.

Edhe Emir Abrashi nga “Demokracia Plus”, thotë se nuk pret zhvillime reale në takimin e 19 korrikut, por shpreson që të paktën të ketë dakordim për rikthim më serioz të këtij procesi.

“Nuk kam ndonjë pritshmëri për ndonjë zhvillim real në këtë takimin e radhës. Megjithatë shpresoj që të ketë të paktën dakordim për t’iu rikthyer në mënyrë serioze këtij procesi”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com