Kërkohet qartësi në mes të rolit të Ekipit negociator dhe Thaçit

Kërkohet qartësi në mes të rolit të Ekipit negociator dhe Thaçit

Ekipi negociator që do të votohet nga Kuvendi i Kosovës, do ta ketë rolin kryesor në bisedimet politike me Serbinë, thonë përfaqësuesit politikë që sponsorizuan miratimin e rezolutës për dialogun të shtunën e kaluar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe i propozuar si bashkudhëheqës i ekipit negociator me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë, se delegacioni shtetëror i Kosovës ka fuqi negociuese dhe do të koordinojë të gjitha aktivitetet e saj me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe presidentin, Qeverinë dhe Kuvendin.

Mandati i presidentit të Kosovës me Kushtetutë është udhëheqës i politikës së jashtme dhe ky mandat nuk mund të hiqet apo të zvogëlohet me ligje apo edhe me rezoluta që mund të miratohen.

Por, Visar Ymeri, nënkryetar i Partisë opozitare Socialdemokrate që është bërë pjesë e grupit negociator tha për Radion Evropa e Lirë se fjalën përfundimtare në dialog tash e tutje do ta ketë pikërisht ekipi negociator.

Ndërsa ekipi negociator pretendon se ka marrë lidershipin ne dialog, nga zyra e Presidentit Thaçi nuk është dhënë asnjë sqarim, nëse presidenti është tërhequr nga roli i tij në këtë proces.

Sipas rezolutës së miratuar në Kuvend thuhet se “marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e dialogut do t’i nënshtrohet një Referendumi Konsultativ para se të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Jeta Krasniqi, analiste e Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tash dihet se presidenti Hashim Thaçi është ai i cili është duke udhëhequr me fazën final të dialogu Kosovë dhe formati i bisedimeve.

Ajo thekson se është shumë e rëndësishme që të ketë një sqarim se si do të ndërveprojnë këto dy formacione presidenti dhe delegacioni shtetëror dhe se cili do të jetë qëndrimi unik i shtetit të Kosovës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.