Kërkohet që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të nis në verën e vitit 2021, avokati i Thaçit kundër propozimit

Kërkohet që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të nis në verën e vitit 2021, avokati i Thaçit kundër propozimit

Ka filluar konferenca statusore ndaj çështjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, njofton Insajderi.

Qëllimi i kësaj konferencë është të bëhet e ditur se deri ku është prokuroria me hetimet, numrin apo sasinë e përafërt të provave apo dëshmive që palët mund të nxjerrin në gjykim, materialit prodhues – shfajsues dhe atë të mbrojtur.

Prokurorja Speciale në këtë konferencë ka thënë se kanë njoftuar mbrojtjen me të gjitha materialet, ndërsa ka shtuar se nuk duhet të jetë befasi çështja.

“Sa i përket hetimeve, disa masa janë në vazhdim e sipër dhe një numër i këtyre hapave mund të kryhen vetëm kur çështja bëhet publike, një shembull i tillë është kontrollimi gjatë arrestimit të të akuzuarve, materiali që është marrë gjatë këtij arrestimi. Sa i përket mundësisë së ekipit të mbrojtjes që të fillojnë me hetimet e tyre, ata mund të nxjerrin disa materiale pas disa javësh.

Synojmë të ndjekim urdhërin e juaj për masa mbrojtëse, në pika të shkurtëra mbrojtja ka informacion të bollshëm për të filluar hetimet menjëherë”.

Ajo përmendi verën e vitit 2021 si afat kur do të nis gjykimi i kësaj çështjeje.

“Të gjitha këto nxjerrje materialesh do të diskutohen më vonë. Vet aktakuza përmbanë pretendime të detajuara për akuzat. Në këtë moment, dhe duke u nisur nga hollësitë, për sa i përket aktakuzave duhet të bëhen edhe disa redaktime. Duhet të ndjekim urdhërin e juaj për masa mbrojtëse. Në pika të shkurtra mbrojtja ka informacion të bollshëm për të filluar hetimet menjëherë. Ne ua kemi bërë të ditur afatin e nxjerrjes së materialeve. Nga informacioni që ka mbrojtja, çështja nuk është një befasi për mbrojtjen ngase ka material të bollshëm. Për mendimin e ZPS-së nuk ka arsye që gjykimi i kësaj çështjeje të fillojë në verën e vitit 2021”, ka thënë ajo.

Kundër këtij propozimi ka dalë avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, David Hooper.

Ai tha se propozimi për nisjen e gjykimit në qershor është absurd, duke marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Hooper tutje u shpreh se mendon që iu duhet 18 muaj para se të mendojnë për fillimin e një gjykimi.

“Prokuroria ka kryer hetime të gjata për mendimin tim mbi pesë vjet dhe ka pas në dispozicion materiale që janë vënë edhe prej hetimeve tjera që janë kryer shumë vite mëparë. Prokuroria ka kryer hetime para situatës së koronavirusit, mendoj se 18 muaj do të na duhen përpara se të mendojmë për fillimin e një gjykimi. Propozimi që gjykimi të nis në qershor është absurd, kjo është një çështje e komplikuar, ndoshta mund të fillojë një vit më pas”, tha Hooper.

“Një fjali kur thotë një ditë dhe nuk jepet data, kjo nuk është një format adekuat, materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtje…”, tha ai ndër të tjera. /Insajderi.com