Shoqata e distributorëve të barnave të Kosovës vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë e Bosnjë Hercegovinës, nuk duhet të vlejë edhe për produktet farmaceutike.
Kryetari i kësaj shoqate, Milaim Abdullahu, këtë e bazon në procedurat paraprake për regjistrimin e këtyre produkteve në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, raporton KTV.
Sipas tij, importi i përgjithshëm i produkteve farmaceutike nga këto dy shtete brenda vitit është deri në 7 milionë.
Ndërkohë, zyrtarë të Odës Farmaceutike e Kosovës kanë thënë se pa u bërë një analizë se cilat janë alternativat për produktet që vijnë nga Serbia nga prodhuesit vendorë apo prodhuesit e shteteve të tjera nga rajoni që janë të regjistruara nga AKPPM-ja, nuk mund ta dinë se cili do të jetë ndikimi i taksës.
“Ne shpresojmë që të mos kemi mungesa të barnave në barnatore, por mbetet një shqetësim se çmimet e tyre mund të rriten për shkak të aplikimit të taksave. Prandaj, ne do ta analizojmë me kujdes këtë situatë dhe do ta shohim se cilat do të jenë alternativat për të shmangur pasojat të cilat mund t’i kenë pacientët dhe shëndeti publik”, ka thënë Arianit Jakupi, kryetar i OFK-së.
Qeveria e Kosovës, javën e kaluar mori vendim që taksën ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjë e Hercegovinës, nga 10 % sa ishte, ta rrisë në 100%.