Demokracia në Veprim ka kërkuar që të rriten resurset humane në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përcjell Insajderi.
Kjo për të mundësuar mbyllja sa më e shpejt e numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës.
“Ndonëse vendimi për rinumërimin e mbi 20% të vendvotimeve në nivel vendi ndikon në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe saktësisë së rezultateve, ky proces shpërfaqë problemet me kualitetin dhe kualifikimet e komisionerëve, si dhe trajnimeve të organizuara për ta nga KQZ-ja”, deklaron DnV në një reagim.
Në këtë kumtesë theksohet se duhet edhe të ndëshkohen komisionerët të cilët me dëshirë apo pa të “deformojnë” vullnetin qytetar.
“KQZ duhet medoemos të ndërmarr hapa për rritjen e kualitetit të trajnimeve, apo edhe të krijohen mekanizma për ndëshkimin e komisionerëve të cilët si rezultat i gabimeve, njerëzore apo të qëllimshme, kanë deformuar vullnetin qytetar dhe në mënyrë indirekte kanë ndikuar në vonimin e procedurave paszgjedhore deri në certifikimi i rezultateve zgjedhore”. /Insajderi.com