Mbrojtja e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka kërkuar sërish lirimin e këtij të fundit nga paraburgimi, transmeton Insajderi.
Kërkesën për lirimin e Mustafës, mbrojtja e ka bërë përmes një shkrese drejtuar gjykatësit paraprak të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas mbrojtjes, pas konfirmimit të aktakuzës, duhet të mendohet nëse do të ishte e nevojshme të ndalohej një i akuzuar, i cili ka qenë në liri për më shumë se 20 vjet dhe se gjatë kësaj periudhe kohore, derisa ka jetuar në Kosovë, Mustafa nuk është dënuar për ndonjë krim dhe shumë rrallë është larguar nga vendi i tij i lindjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, sipas mbrojtjes, Mustafa pasi është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), është larguar nga Holanda e ka shkuar sërish në vendin e tij dhe nuk ka ndërmarrë kurrë diçka kundër dikujt, si dhe nuk ka kryer ndonjë vepër penale brenda asaj periudhe kohore.
Mbrojtja ka pretenduar se të thuhet se Mustafa është kërcënim ose do të ishte një kërcënim për dikë është plotësisht pretendim i pabazuar.
Të pabazuar e kanë cilësuar edhe pretendimin e ZPS-së lidhur me rrezikun e arratisjes së Mustafës.
Në këtë shkresë, mbrojtja ka thënë se Mustafa edhe në një rast të mëparshëm ka pohuar se mundet të qëndrojë në arrest shtëpie ose në ndonjë formë tjetër të paraburgimit pa qenë në paraburgim në Holandë. /Insajderi.com