Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë ka paraqitur të hënën në Kuvendin e Kosovës rekomandimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli, ka renditur disa arsye për shkarkimin e anëtarëve të këtij bordi.
‘’265 mbikalime të hekurudhave, ku 49 persona janë lënduar ndërsa 11 kanë vdekur. Mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ka shkelur rregulloret për rehabilitimin e hekurudhave, ku në Han të Elezit është kontraktuar një kompani italiane e palicensuar.
Rënia nga 417 mijë në 58.819 mijë udhëtarë nuk ka analizë. Nuk kanë arsyetuar shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit, ku në vitin 2016 janë shpenzuar 16 mijë euro për tre vizita në rajon’’, ka thënë ndër të tjera Pacolli.
Kundër këtij rekomandimi kanë dalë partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Fadil Nura nga PDK, Armend Zemaj nga LDK dhe Pal Lekaj nga AAK kanë konsideruar se kjo gjë po bëhet për arsye banale, politike dhe jo profesionale./Insajderi.com