![Kërkohet të mos dekretohet ndryshimi i ligjit që lejon importin e veturave të vjetra](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/05/veturat-587x352.jpg)
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me anë të një komunikate për media shpreh shqetësimin lidhur me ndryshimin e Ligjit mbi Automjetet, respektivisht ndryshimin e dispozitave me të cilat lejohet importimi i automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, pavarësisht thirrjeve nga Oda Ekonomike Amerikane dhe shoqatat e tjera të biznesit kundër kësaj iniciative.
“Oda Amerikane beson se ligji është në kundërshtim me përpjekjet e promovuara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të ndërmarra brenda Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimeve të gazrave të liruara nga automjetet e lehta dhe të rënda”, thuhet në komunikatë.
Oda Amerikane, beson se iniciativat dhe ndryshimet e këtyre përmasave që kanë implikime të gjera në mjedis, siguri në trafik dhe shëndet, duhen diskutuar më gjerësisht, ndërsa anëtarët e Kuvendit duhen marrë parasysh rëndësinë e një qasje më gjithëpërfshirëse vendimmarrëse.
“Oda Amerikane rekomandon shtyrjen e ndryshimit të ligjit, deri në publikimin e të gjeturave të vlerësimit të shkaktarëve të ndotjes në vend, proces ky tashmë i iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me ekspertë japonezë”.
Oda Ekonomike Amerikane, edhe një herë përsërit thirrjen e saj ndaj politikbërësve që të reflektojnë dhe kuptojnë rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe shoqërinë civile, si mënyra e vetme që siguron se ligjet dhe aktet e tjera ligjore janë në shërbim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.