Nga janari i këtij viti deri në muajin tetor kanë ndodhur 98 aksidente në vendin e punës, ku kanë mbetur të vdekur 18 persona dhe 80 kanë pësuar lëndime trupore, raporton Ekonomia Online.
Për të diskutuar për këtë çështje në Prishtinë, Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN), në bashkëpunim me Qendrën për Politika dhe Avokim dhe Olof Palme International Centre, kanë mbajtur tryezën me temën “Gjendja e shëndetit dhe sigurisë në punë në Kosovë”.
Aty u kërkuar që të rritet numri i inspektorëve, edhe për 65, ngase aktualisht Inspektorati i Punës i ka vetëm 50 inspektorë.
Milaim Morina, Qendra për Politika dhe Avokim, ka adresuar problematikat në sigurinë në punë, për të cilat ka thënë se kjo përfshinë edhe legjislacionin i cili sipas tij, është plotësuar që nga ai i vitit 2004 me 23 rregullore. Ai ka thënë se siguria në punë është e njëjtë me vendet e rajonit.
“Siguria në punë në Kosovë është pak a shumë e njëjtë me atë në rajon. Nga janari deri në tetor kanë ndodhur 98 aksidente, 18 punëtorë kanë vdekur, 80 kanë pësuar lëndime trupore”.
“Kemi një institucion në Kosovë që rregullon sigurinë në punë, që është inspektorati i punës. Inspektorati i Punës ka 50 inspektorë. Inspektorati inspekton në 7 rajone të Kosovës”.
Morina ka thënë se një numër i tillë i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm.
“Duhet të ketë rritje të numrit të inspektorëve të paktën 65 inspektorë. Vitin e kaluar inspektorati i punës ka realizuar 8120 inspektime. Janë 60 mijë biznese dhe është e vështirë që të inspektojnë të gjitha”.
Çerkin Dukolli, zëvendësministër i Punës dhe udhëheqës i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, ka thënë se kjo është një çështje humane sepse ka të bëjmë me jetën e qytetarëve, duke përmendur punë e bërë në këtë drejtim.
“Aksidentet në punë që janë evidentuar dhe po ndodhin janë shqetësuese”.
“Republika e Kosovës ka marrë veprime për këtë. Kemi harmonizuar legjislacionin, kemi formuar trupa dhe kemi ndërmarrë fushata vetëdijësuese. Qeveria ka formuar edhe Këshillin Nacional për siguri dhe shëndet në punë. Si këshill kemi marrë iniciativë për të ndërmarrë veprime në këtë fushë. Tani si Këshill po bëjmë vlerësimin e gjendjes ekzistuese”.
“Këshilli ka vlerësuar se siguria në punë nuk është ende në nivel. Të gjitha lëndimet, kemi arritur të kuptojmë si këshill, qoftë të lehta a të rënda raportohen. Kemi një situatë jo të mirë këtë vit. Do të hartojmë shpejt edhe atë që quhet dokument strategjik për sigurinë dhe shëndet në punë”.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, ka adresuar edhe një herë problemin e inspektorëve të paktë, raporton EO.
“Ka një numër të vogël të inspektorëve prandaj e ka të vështirë të bëjë inspektimin e të gjitha bizneseve. Mos të dënohen punëdhënësit por të vetëdijesohen në raport me punonjësit”.
“Sa i përket Sigurisë dhe shëndetit në punë, ne nuk jemi të kënaqur përkundër të gjitha angazhimeve maksimale. Në 2017 kemi pasë mbi 1200 inspektime në ndërtimtari. Fokusi jonë ka qenë shumë i madh apo maksimal për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
“Dy rastet kemi që punëdhënësi kanë vdekur më vendin e punës që është vetëdije që punëdhënësi nuk i krijon vetes kushte e lë më punëtorët”.
“Nuk jemi fare të kënaqur me këtë gjendje. Nuk është e mundshme vetëm inspektorati i punës ta kryejë krejt këtë punë. Ka nevojë të vetëdijesohet shoqëria, punëdhënësit dhe punëtorët rreth sigurisë në punë”.
“Është mirë të ketë më shumë OJQ që do të merren me këtë çështje për siguri dhe shëndet në punë sepse është një faktor tjetër që e ndihmon në vetëdijesim shoqërinë, punëdhënësin dhe punonjësit. Ka ftuar që kushdo që ka ndonjë ide apo propozim që mundet të kontribuojë për vetëdijesimin për sigurinë dhe shëndetin në punë të kontribuojë. Nuk e ndihmon inspektoratin, e ndihmon vetveten”.