Këshilli Drejtues i UP-së jofunksional

Këshilli Drejtues i UP-së jofunksional

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka disa javë që është jofunksional për shkak të dorëheqjes së disa prej anëtarëve të emëruar nga Ministria e Arsimit, transmeton Insajderi.

Derisa nga kjo ministri thonë se emërimi i anëtarëve të rinj do të bëhet shumë shpejt, njohës të fushës së arsimit kërkojnë që në këto pozita të emërohen njerëz profesionistë e me integritet.

MASHTI thotë se dy anëtarë të Këshillit Drejtues kanë dhënë dorëheqje, por nuk kanë treguar arsyet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Zëvendësimi i të njëjtëve, sipas tyre, do të bëhet shumë shpejt, ani pse nuk jepet një datë se kur do të bëhet emërimi i anëtarëve të rinj në organin kryesor qeverisës të UP-së.

“Aktualisht bordi i UP-së nuk është funksional meqë kanë dhënë dorëheqje dy anëtarë të Këshillit. Prandaj, MASHTI do të përkujdeset që shumë shpejt në këto pozita të emërohen anëtarë të rinj të cilët i plotësojnë kriteret ashtu siç e parasheh ligji dhe statuti”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t, raporton KP.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, theksoi se Këshilli Drejtues është një organ shumë i rëndësishëm për institucionin, e në bazë të kësaj shprehet se presin që emërimi i anëtarëve të rinj nga MASHTI të bëhet sa më parë.

Ai potencoi se janë një mori kërkesash për të cilat duhet vendimmarrje nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

“Presim që Këshilli të kompletohet sa më parë edhe të vazhdojë me trajtimin e kërkesave që janë të orientuara nga Këshilli Drejtues. Ka sigurisht kërkesa, ato janë të deponuara në administratë, ka edhe rregullore që po presin miratimin e Këshillit Drejtues dhe besojmë që ajo do të ndodhë shumë shpejt dhe pastaj ato do të futen rend të ditës dhe do të trajtohen”, thotë Sahiti.

“Është e rëndësishme që anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të jenë individë me integritet dhe kredenciale të larta profesionale, të cilët mund të ofrojnë një përkrahje strategjike drejtë një cilësie më të lartë të studimeve në Universitet të Prishtinës”, shprehet më tej ai. /Insajderi.com