Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, bënë thirrje për raportim korrekt për Koronavirusin

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, bënë thirrje për raportim korrekt për Koronavirusin

Këshilli i Mediave të Shkruara në Kosovë, përmes një komunikate për media ka bërë thirrje që të respektojnë parimet e etikës së gazetarisë në lidhje me raportimet për  Koronavirus COVID-19, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas kësaj komunikate, thuhet se raportimi i së vërtetës duke u mbështetur vetëm në burime kredibile siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, dhe burimeve të Qeverisë së Kosovës duhet të jenë bazament për raportim profesional dhe kundër të pavërtetave.

“Ne Kosovë ndonëse deri më sot nuk është konfirmuar asnjë rast i Koronavirus COVID-19, disa portale të lajmeve duke manipuluar me “burime të besueshme”, në të vërtetë nuk janë burime por prodhues të panikut. Fatkeqësisht disa media tjera me verbësi profesionale i përcollën këto lajme të rreme duke llogaritur në senzacionalizëm dhe klikime joreale”, thuhet në komunikatë.

“Meqë jemi në fillim të kësaj lufte kërkojmë nga të gjitha mediat e shkruara dhe ato online që të ngritin profesionalizmin në nivelin më të lartë të mundshëm duke zbatuar të gjitha rregullat e gazetarisë profesionale”, vazhdon tutje reagimi.

Përveç kësaj Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, kërkon nga mediat të mbështeten vetëm në burime zyrtare dhe të raportojnë me përgjegjësi të madhe, duke mos u dhënë hapësirë individëve të caktuar që edhe në këtë situatë pandemike nuk e kanë parasysh nevojën e opinionit publik për të kuptuar të vërtetën.

“Vetëm bashkëpunimi i ndërsjellët i profesionistëve të mjekësisë dhe mediave kredibile mund të paraqesin digën kryesore ndaj kësaj të keqeje që ka kapluar botën”, përfundon komunikata e Këshillit të Mediave./ Insajderi.com